22:40 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Inter rrezikon Championsin, lëshon pikë me Udinesen

Për të tretën javë me radhë Interi nuk shkon më shumë se barazimi, teksa këtë herë u ndal nga Udinese me rezultatin e bardhë 0-0, në transfertën friuliane.

Me Icardin që e nisi sfidën nga stoli, skuadra zikaltër krijoi volum loje në pjesën e parë, por nuk arriti të kërcënojë rrezikshëm kuadratin e portës së Udineses.

Ndryshe nga pjesa e parë, në pjesën e dytë mundësitë e shënimit ishin më të shumta, por portieri Muso dhe fati, nuk lejuan që Interi të gjejë golin e avantazhit.

Me këtë barazim Interi mban vendin e tretë të renditjes me 63 pikë, 4 më tepër se Atalanta e vendit të katërt, por rrezikon që kundërshtarët për një vend në Champions, t’i afrohen më shumë pas kësaj jave.