11:45 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / Blerim

Interesim i madh në Prishtinë, për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dje ka njoftuar se ka nisur shpërndarja e vaksinave kundër gripit sezonal.

“Me 165.000 vaksinat e para do të imunizohen grupet më të rrezikuara në shtetin tonë.

Ndërkohë, ministria është në proces të sigurimit edhe të 50.000 vaksinave të tjera me çka arrijmë të ngrisim për 100 për qind numrin e vaksinave krahasuar me vitin paraprak”, ka bërë të ditur Zemaj.

Derisa në komunat e Kosovës ka nisur sot dhënia falas e këtyre vaksinave.

Radhë të gjata u panë edhe para Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Prishtinë.

Janë të moshuarit ata që po presin ta marrin këtë vaksinë, e cila do të jetë një ndihmesë për ta, pikërisht për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19.

Për shkak të interesimit të madh për t’u vaksinuar është dashur edhe intervenimi i njësiteve të Policisë së Kosovës, për të mbajtur rend dhe rregull.

Ndryshe, sipas MSH-së, do të ketë vaksina të mjaftueshme, sipas planit të vaksinimit dhe, sipas nevojës, do të mund të sigurohen edhe të tjera.

Gripi çdo vit godet moshat e ndishme dhe ka shtrirje të gjerë, ndërsa me qëllim të parandalimit të virusëve sezonalë agresivë në qarkullim, MSH-ja ka siguruar vaksina katërvalente që kanë fuqi më të madhe vepruese-parandaluese ndaj këtyre virusëve.

Vaksinat do të jepen sipas prioriteteve dhe konform standardeve globale kundër gripit./Indeksonline