15:30 / E Enjte, 05 Shtator 2019 / indeksADMonline

IPK-ja njofton qytetarët e Prishtinës për rolin dhe misionin e tij

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes Divizionit për bashkëpunim dhe informim ka realizuar shumë aktivitete në fushën e bashkëpunimit me qytetarët,  duke prezantuar para tyre rolin, misionin dhe fushë-veprimtarinë e  IPK-së.

 Një aktivitet i tillë me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në  Kosovë”, është mbajtur sot me qytetarët e Prishtinës në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe me përkrahjen e ICITAP-it.  

 Pjesëmarrës në këtë aktivitet përveç qytetarëve të Prishtinës dhe anëtarëve të forumeve të sigurisë  ishin edhe Kryeshefja e IPK-së znj.Miradie Kelmenedi, nënkryetari i komunës së Prishtinës z. Muhedin Nushi, dhe Menaxherja e programit të ICITAP-it znj.Kimberly Riffe.

Nënkryetari i komunës Nushi në fjalën e tij të rastit theksoi se me aktivitete të tilla thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional por edhe sensibilizohen qytetarët e vendit dhe ndikohet në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në luftën kundër korrupsionit.

Kryeshefja e IPK-së znj.Kelmendi duke falënderuar të gjithë qytetarët pjesëmarrës për bashkëpunimin e tyre theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarë:

“Ju sigurojmë se shqetësimet tuaja do të merren parasysh duke u trajtuar me seriozitet, me synimin e zhvillimit të një policie në shërbim të qytetarit, një policie që respekton të drejtat e qytetarëve brenda diversitetit tonë shoqëror” – theksoi ndër të tjera znj.Kelmendi duke u bërë ftesë qytetarëve që të denoncojnë shkeljet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga zyrtarët policorë.

Edhe menaxherja e programit të ICITAP-it znj.Riffe në fjalën e saj para të pranishmëve theksoi se mandati i Inspektoratit Policor është me rëndësi të madhe për qytetarët e vendit duke e mbajtur policinë përgjegjëse dhe llogaridhënëse:

“ Hetimi i ankesave dhe procesi i inspektimit është punë komplekse por shumë e rëndësishme. Qytetarët kanë një rrugë dhe adresë për të raportuar policinë për sjellje të pahijshme. Por IPK nuk mund të hetojë apo inspektojë të panjohurën, andaj qytetarët duhet të bëjnë një hap para dhe të paraqesin ankesat e tyre në IPK për të bërë ndryshimin, për të luftuar korrupsionin, për të ndryshuar sjelljen dhe për të mbajtur përgjegjëse agjencinë e zbatimit të ligjit të vendit tuaj”- theksoi znj. Riffe.

Gjatë diskutimit të hapur me qytetarët e Prishtinës për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), u dhanë shpjegime për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK, inspektimet dhe rolin i tyre në ngritjen e profesionalizmit të policisë dhe rëndësinë e integritetit policor etj.

Vlen të theksohet se ky aktivitet është përcjellë me interesim nga qytetarët ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së.