14:29 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Isa Mustafa: Beteja e Koshares shënon fitoren më të madhe të UÇK-së mbi forcat serbe

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh i pari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar 19 vjetorin e betejës së Koshares.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka thënë se kjo betejë shënon fitoren më të madhe të UCK-së mbi forcat e armikut.

Njëkohësisht, përmes këtij statusi ai ka përkujtuar edhe kohën kur është miratuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi  i tij:

Beteja triumfale e Koshares, e zhvilluar 19 vjet më parë, shënon fitoren më të madhe në betejë të hapur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi forcat e armikut.

Uniteti dhe profesionalizmi i ushtarakëve tanë, e bëri të pashmangshme disfatën e ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë.

9 vjet më vonë, pikërisht më 9 prill 2008, u miratua edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që sublimon vlerat më të larta demokratike, për të cilat luftuan dhe dhanë jetën burra të mëdhenjë të kombit, si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, e shumë pjesëmarrës të tjerë të Betejës heroike të Koshares.

Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës dhe heronjtë e saj!