14:30 / E Premte, 19 Gusht 2022 / A. M.

Ish-ambasadori amerikan: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, Beogradi po përfiton nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë

“Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të bëhet anëtare e vërtetë e familjes evropiane”.

Kështu ka thënë ish-ambasadori i ShBA-së, në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Zërin e Amerikës, në gjuhën serbe.

Delawie është shprehur se nëse Serbia do ta bënte një gjë të tillë, atëherë edhe Kosovë do të kontribuonte edhe më shumë për paqen në rajon.

Ish-ambasadori amerikan, e ka kritikuar Beogradin për të cilin ka thënë se po tenton të përfitojë nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë.

“Unë sigurisht shpresoj kështu. Shumë varet nga veprimet e Beogradit – i cili e ka vënë veten në një pozicion për të kontrolluar tensionet. Fatkeqësisht, duket se Beogradi përfiton nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, të dyja vendet Kosova dhe Serbia, duhet t’i japin prioritet paqes dhe jo politikave të brendshme.

“Nëse të dyja vendet zgjedhin paqen dhe integrimin me Evropën si prioritete – atëherë ka vend për një marrëveshje. Megjithatë, nëse prioritet i jepet politikës së brendshme në vend të zgjidhjeve, bëhet e vështirë arritja e një marrëveshjeje”, është shprehur ish-ambasadori amerikan.

Delawie, e ka quajtur “çmenduri”, faktin që serbët e veriut, në Kosovë nuk e paguajnë energjinë elektrike.