22:27 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / FG

Ish-ambasadori Spahiu: Paraqitja e Gërvalles ishte dinjitoze, s’duhet të jemi të padrejtë

Ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu ka thënë se prezantimi i ministres së Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ishte mjaft dinjitoz, shkruan Indeksonline.

Ai u shpreh se nuk duhet të jemi të padrejtë ndaj saj, pasi që Gërvalla ruajti një konstant të prezantimeve të mëparshme.

“Nuk duhet të jemi të padrejtë ndaj ministres Donika Gërvalla, ishte paraqitja e saj e parë si ministre e Jashtme. Ka qenë një paraqitje dinjetoze sepse ka ruajtur një konstant që ka qenë karakteristikë e prezantimeve të Kosovës nga të gjithë ish-ministrat dhe përfaqësuesit e Kosovës në OKB”.

Tutje, Spahiu tha që ritheksimi i krimeve që ka bërë Serbia ndaj Kosovës duhet bërë gjithnjë, e në asnjë moment nuk duhet të harrohet.

“Dmth, ritheksimi i krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë që nuk duhet në asnjë moment të harrohet por duhet përsëritur dhe ku ka një vend më të mirë se sa Këshilli i Sigurimit të OKB-së, aq më tepër që përfaqësuesi serb dhe ai rus vazhdimisht përsërisin dhe prezantojnë gjëra të pavërteta duke akuzuar shtetin e Kosovës për gjëra të pabëra.

Kjo nuk mund të kaloj pa u sfiduar nga përfaqësuesit tanë. Rinumërimi i të gjithë të këqijave që ka bërë Serbia është një e drejtë e jona dhe është prezantim dinjitoz”, u shpreh Spahiu në RTV21./Indeksonline/