22:12 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Ish deputeti i LDK-së i reagon ashpër Nasim Haradinajt, thumbon edhe Isa Mustafën!

Deklarata e nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt për vrasjet e pasluftës ka nxitur reagime të shumta në vend. I njëjti kur është pyetur në një emison televiziv se në këto vrasje kanë qenë të përfshirë edhe anëtarë të LDK-së, ai është pëgjigjur me ironi duke thënë se “punë e madhe nëse janë  vrarë të LDK-së”.

Mirëpo, për këtë ka reaguar ashpër ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Ai thotë se këto fjalë i takojnë kriminelëve dhe atyre që nuk turpërohen para asnjë veprimi të tyre.

“Këto janë fjalë aqë të rënda dhe të pajustifikueshme me asgjë e të cilat pasqyrojnë mentalitetin e atyre që kanë bërë krime, jo vetëm ndaj anëtarëve të LDK-së,por jam i bindur edhe ndaj të tjerëve. Kjo është logjika e bandës, e kriminelëve,e atyre që nuk turpërohen para asnjë veprimi të tyre”, ka thënë Salihaj për “Indeksonline”.

Sipas tij, ata që kanë guxim të flasin, këtë e bëjnë sepse njerëzit i kanë ‘rehatu’ në pozitat më të larta të shtetit.

Po ashtu Salihaj thotë se përfshihen edhe organet e drejtësisë.

“Por,duhet thënë se ky problem nuk duhet të shihet si problem i atyre që kanë qenë viktima të këtyre njerëzve e as problem i familjeve të tyre. Ky problem duhet te shihet si problem i shtetit,i nje shteti ligjor,të cilin për fat të keq nuk e kemi. Këta njerëz që flasin kështu,guxojne të flasin sepse i kanë njerëzit e tyre ne pozitat më të larta te shtetit,përfshirë këtu edhe organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Tutje, ish- deputeti nga Ferizaji  ka kritikuar edhe Isa Mustafën. Sipas tij kur u fyejtën anëtarët e partisë ai s’e dha asnjë fjalë të vetme.

“Mua më habit pa masë fakti që mediat kërkojnë komente nga viktimat,në vend se të kërkojnë përgjegjësi nga bartësit e institucioneve të shtetit. Më habitë poashtu fakti se,edhepse aty u tha “punë e madhe që u vranë anëtarët e  LDK-së ” , kreu i LDK-së hesht si mumjet e Egjiptit. Hesht,sepse ai është afruar aqë shumë me këto struktura,sa që atë  nuk e pengojnë aspak këto veprime kaqë të rënda”, ka shtuar Salihaj.

Në fund ai ka theksuar se Isa Mustafën e pengojnë vezët, uji dhe gazi, por jo edhe vrasja e sa e sa anëtarëve të LDK-së,trupat e të cilëve tash kalben në dhe./Indeksonline//A.Beka/