22:18 / E Enjte, 14 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ish-mafiozi shqiptar në Tiranë: Dua të transmetoj mesazhe pozitive tani (Video)

Xhon Alite ishte një vrasës, trafikant droge dhe gangster. I lindur në Amerikë nga dy prindër shqiptarë me origjinë nga Gjirokastra, Alite për më shumë se 25 vite zhvilloi një aktivitet të gjatë kriminal si pjesë e familjes Gambino. Ai sot ka vizituar Tiranën, ku ka thënë se nuk ka ndryshuar nga koha kur merrej me aktivitet të dyshimtë.

Xhon Alite ishte një vrasës, trafikant droge dhe gangster. I lindur në Amerikë nga dy prindër shqiptarë me origjinë nga Gjirokastra, Alite për më shumë se 25 vite zhvilloi një aktivitet të gjatë kriminal si pjesë e familjes Gambino.

Jeta e mafiozit 56-vjeçar me origjinë shqiptare ka intriguar regjisorin Andi Deliana për të sjellë një dokumentar të detajuar rreth tij.

Për ta prezantuar në Tiranë pas Kosovës, ai ftoi vetë protagonistin e ngjarjes, i cili ndonëse është një nga kokat më të kërkuara të mafias sot në New York, mbërriti si një nga njerëzit më të thjeshtë që lëviz lirshëm e pa probleme në një qytet, kur në fakt është një nga njerëzit më të mbrojtur nga FBI, të cilët mesa duket kanë format e tyre të sofistikuara të mbrojtjes.

Alite ka marrë me vete edhe dy djemtë e tij për t’i njohur me Shqipërinë. Për të kaluarën e tij nuk është krenar, por është një e kaluar të cilën ai nuk e fsheh.

“Unë jam i njëjti siç kam qenë. Nuk mund të them se kam ndryshuar. Ndryshimi është tek mënyra se si reagoj. Nëse dikush me shqetëson nuk reagoj me fizikisht. Dua të transmetoj mesazhe pozitive tani. Kam qenë një djalë agresiv, më vjen keq për këtë, por nuk mundem ta zhbëj. Ndërsa për disa nuk më vjen aspak keq. Kur kam urdhëruar vrasjen e njerëzve që përdhunojnë vajza, nuk do të kërkoj kurrë falje. Do ta bëja sërish. Nuk jam ai që më takon të gjykoj, por as ta lë këtë gjë të ndodhë nuk mundem”, thotë ai.