12:13 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Ish-marinsi amerikan përballet me 18 vjet burg në Rusi

Një prokuror federal rus të hënën në një seancë të mbyllur në Gjykatën e qytetit të Moskës kërkoi 18 vjet burg për ish-marinsin amerikan nën akuzat për spiunazh, raporton AA.

Dënimi për Paul Whelan do të shpallet më 15 qershor, tha shërbimi për shtyp i gjykatës në një deklaratë pas seancës.

Whelan, i cili mbart nënshtetësinë e katër vendeve, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Irlandës, shpalli pafajësinë e tij dhe kërkoi drejtësi në fjalimin përfundimtar, shkruan Indeksonline.

Paul Whelan në dhjetor të vitit 2018 u arrestua në Moskë nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse nën dyshimin për spiunim, një akuzë e cila mund të marrë një dënim deri në 20 vjet.

Mbrojtja e Whelan insiston në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ai ishte “i përshtatur”, pasi atij iu dha një USB nga një shtetas i panjohur rus që ai mendonte se përmbante “foto nga një udhëtim turistik”, ndërsa në të vërtetë kishte një listë të punonjësve të një agjencie të klasifikuar sigurie.

Ai pretendon se ishte në Rusi për të marrë pjesë në një dasmë, duke udhëtuar rregullisht në këtë vend që nga viti 2007 për të ndihmuar familjen e dhëndrit.

Rasti ka ngritur spekulime se Rusia po e mbante Whelan me qëllim ta shkëmbente atë për pilotin rus Konstantin Yaroshenko, i burgosur në SHBA me akuzat e kontrabandës së drogës.

Sidoqoftë, kjo u mohua nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila tha se fakti që Whelan u arrestua për spiunazh nuk u kundërshtua nga SHBA në kontakte pune, por se në deklaratat publike “ata thonë atë që duhet thënë”.