08:03 / E Enjte, 14 Korrik 2022 / AR

Ish-ministri i Financave për inflacionin: Shqetësues mosveprimi i qeverisë

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, deklaroi se është shqetësuese që qeveria nuk është duke ndërmarrë asnjë veprim për situatën e rëndë të krijuar me rritjen e çmimeve si pasojë e inflacionit.

I ftuar në Tëvë1, Shatri u shpreh se në këtë kohë edhe shtresa e mesme mund të varfërohet.

“Ky inflacion e pasqyron një gjendje mjaftë të rëndë dhe një tendencë që edhe shtresa e mesme të varfërohet në këtë periudhë. Ata që jetojnë në varfëri, ata janë në minimum për ekzistencë. Ndërsa, shtresa e mesme e cila ka pasur mundësi të kursejë diçka nga paga, tashmë është e pamundur. Për mua është brengosëse mosveprimi i qeverisë në këtë situatë. Nuk them që qeveria është fajtore për shkak të konfliktit në Ukrainë apo për shkak të COVID-19. Mirëpo, unë po flas për një mosveprim, ata janë shumë komod dhe asnjë veprim nga ta nuk ka”, tha Shatri.

Më tej, Shatri ka thënë tha se qeveria ka mekanizma në dorë për ta luftuar rritjen e çmimeve.

Sipas tij, sfera e politikës fiskale dhe politikat buxhetore janë dy fushat më të rëndësishme përmes së cilave mund të merren për uljen e çmimeve.

“Qeveria ka mekanizma në dorë dhe e ka obligim kushtetues për të vepruar në këtë inflacion, gjë që po mungon. Si shembull mund ta marrim sferën e politikës fiskale dhe politikat buxhetore. Këto dyja janë kryesore. Në politikat fiskale mund të bëhet lirimi i përkohshëm nga disa obligime, zbritja e akcizës në disa produkte, siç janë derivatet e naftës dhe produktet që janë të lidhura me prodhimin. Akciza mund të lirohet për një periudhë të caktuar, qoftë 3 mujore apo 6 mujore. Pra, një kalkulim i thjeshtë tregon se një zbritje prej akcizës ose e TVSH-së në disa produkte, kompensohet me rritjen e çmimit që ka ndodhur”, tha ai.

Shatri u ndal edhe tek trendi i ikjes së qytetarëve nga vendi, e sipas tij, deri në vitin 2030 Kosova rrezikon të humbë fuqinë punëtore.

“Nëse vazhdon ky trend dhe deri në vitin 2030 nëse mbesim 1 milionë banorë, nuk do të jemi serioz as për tregun ndërkombëtar s’do të kemi as fuqi punëtore as si faktor… Unë e shoh që këto veprime janë duke na çuar në një krizë kombëtare ku ne do të shkojmë në strukturë të popullsisë së plakur, rritje e numrit të personave që janë nën përkujdesje sociale, dhe zvogëlim të fuqisë, krahut punëtor në vend. Kjo sjellë probleme të mëdha që duhet të mendojmë menjëherë t’i zgjidhim”, tha Shatri.