Ish-presidenti e kritikon rëndë Ferrarin
Ish-presidenti i Ferrarit, Luka di Montezemolo ka reaguar pas zhgënjimit të “kokëkuqes” në garën e Monza, ku edhe pse e nisi garën me dy makina në vijën e parë të startit përfundoi me një vend të dytë të Kimi Raikkonen dhe një vend të katërt të Sebastian Vettel.
Ai ka vlerësuar strategjinë e Mercedes, që përdori Bottas si mburojë të Hamilton, ndaj dhe makina gjermane i çoi të dy pilotët në podium.
“Mund të them që ne kemi fituar shumë gara me Ferrarin duke vepruar ashtu siç bëri Mercedes. Kjo është pjesë e punës, ndaj për mua Bottas nuk bëri asgjë të gabuar. Edhe unë po të isha në atë situatë do të veproja njësoj si Mercedes”, tha Montezemolo, që kur ishte në krye të Ferrarit bëri historinë e kësaj skuadre.
“Vështirë se do t’i përsërisin ato rezultate që kemi arritur me Jean Todt në drejtim dhe Michael Schumacher si pilot. sot, te Ferrari duhet të pranojnë humbjen dhe gabimet, pasi në këtë mënyrë mund të përmirësohen. Kur humbet është e vështirë të pranohen kritikat e gabimet, por duhet të jesh kokulur”, tha Montezemolo.