10:56 / E Shtunë, 11 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Ish-trajneri i skuadrave të mëdha italiane në gjendje kritike për jetë

Ish-trajneri i skuadrave të mëdha italiane si Juventus, Milan dhe Inter, Alberto Zaccheroni, është në rianimim, pasi është rrëzuar në shtëpi dhe ka përplasur kokën.

Zaccheroni është në gjendje të rëndë shëndetësore gjatë këtyre orëve. Siç raportojnë mediet italiane atij i ka ndodhur një fatkeqësi në shtëpinë e vet, pasi është rrëzuar dhe ka përplasur kokën.

Ai me shpejtësi të madhe është hospitalizuar në spitalin Bufalini në Cesena. Tani ai ndodhet në rianimim. Akoma nuk dihet se çka ka shkaktuar rrëzimin e tij, nëse bëhet fjalë për ndonjë dhimbje që ka shoqëruar apo thjesht ishte një episod famëkeq që i ka ndodhur rastësisht. Ky është versioni që jepet nga agjencia e lajmeve “Sky TG 24”.

Zaccheroni është prej trajnerëve më të njohur në Itali. Nga 1998 deri më 2010 ka udhëhequr skuadrat më të trofeshme në Itali, si Milan (1998-2001), Inter (2003-2004) dhe Juventus (pak muaj më 2010).

69-vjeçari po ashtu ka qenë edhe përzgjedhës i kombëtareve si Japonia (2010-2014) dhe Emiratet e Bashkuar e Arabe (2017-2019).

Suksesin më të madh e ka arritur më 1999, pasi shpalli Milanin kampion, në një sezon ku ngadhënjeu për vetëm një pikë më shumë sesa Lazio. “Kuqezinjtë” e përfunduan sezonin me 70 pikë, kurse skuadra kryeqytetase italiane kishte 69 pikë.

Gjithsesi, në orët në vijim do të kuptohet më shumë rreth gjendjes shëndetësore të trajnerit të mirënjohur italian. Për momentin informatat janë shumë të rezervuara, për shkak se po ruhet maksimalisht privatësia e tij. Edhe familjarët nuk kanë treguar shumë gatishmëri që të flasin në lidhje me këtë gjë.