16:16 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ish-uzurpatorët kërcënojnë AKP-në

Ende disa lokale publike vazhdojnë të jenë të uzurpuara në veri të Kosovës. Kështu ka thënë drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, i cili tha se në tërë Kosovën mbeten edhe tri lokale të uzurpuara në veri të Mitrovicës, që sipas tij ky numër ka qenë edhe më i lartë.

Ai gjatë raportimit të raportit të punës për vitin 2017 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik ka thënë se në këtë periudhë AKP ka identifikuar edhe 38 asete të reja të AKP-së.

“Në gjithë territorin e Kosovës kanë mbetur diku edhe tri lokale të cilat gjinden në veri të Mitrovicës. Edhe këto në bashkëpunim me policinë, është çështje ditësh edhe ato do të lirohen dhe pse ai numër po na ndërron, se “herë po I lirojmë e herë po hymë prapë po i uzurpojnë”… vetëm në vitin raportues kemi shpërndarë afër shtatë milionë euro për kreditorë, 200 kontrata I kemi realizuar. Kemi identifikuar vetëm më 2017 38 asete të reja, të cilat nuk kanë qenë më herët në regjistrat e AKP-së”, ka thënë Hajdari.

Hajdari shtoi se në vitin 2017 kanë qenë një mijë asete në shitje me dy mijë oferta. Sipas tij, në 2017 milionë euro janë ndarë për kreditorë

Mirëpo AKP ka telashe edhe e ish-uzurpatorët e pronave shoqërore, ku tash së fundi sipas kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi ka pasur kërcënime për një pronë në Lipjan.

“Edhe në kemi brengën çështjen e kërcënimeve që ju vijnë palëve, jemi munduar me ju dalë në ndihmë këtyre palëve.., Nuk mund ta mohoj që njerëzit nuk kanë telashe me ish uzurpatorët. Një rast e kemi pasur tash në Lipjan, një problem që ka ndodhur, kemi diskutuar me policinë për adresimin e këtyre çështjeve, sepse ne jemi të vetëdijshëm që njerëzit në përgjithësi hezitojnë nëse nuk kanë një mbrojtje që të investojnë në këto asete”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se se në mungesë të kompletimit të Bordit, për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka qenë jo funksional bordi, dhe ishin stopuar aktivitetet e kësaj Agjencie.

Ai tha se në vitin 2017 AKP ka hartuar një plan të shitjes, por në mungesë të bordit, janë paraparë të privatizohen vetëm pesë valë të shitjes për vitin 2018.

Për Trepçën, ai tha se studimi i fizibilitetit për Trepçën ka përfunduar në maj të vitit 2017. Në këtë Agjenci mjetet për paga në vit arrijnë 3 milionë e 600 mijë euro. Ndërsa, raporti për AKP-në nuk është votuar në mungesë kuorumi.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, është shqyrtuar në parim edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (COSME) (2014-2020), ku ka raportuar zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë Faton Thaçi. Komisioni ka miratuar projektligjin për ratifikim.

Temat: