14:02 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

Ishulli me 365 plazhe, nga një për çdo ditë të vitit

365 plazhe, nga një të ri për çdo ditë të vitit. Kjo është moto që përdoret vazhdimisht nga promotorët e Antiguas, për të tërhequr turistët. Por e bukura qëndron se ky pretendim për ishullin e vogël në Karaibe është i vërtetë.

Plazhet duket sikur nuk mbarojnë kurrë, me guva dhe “cepa” ku rëra e artë dhe uji i kristaltë tërheqin gjithmonë vëmendjen. Edhe në kryeqytetin St. John, uji pranë portit ka një ngjyrë përrallore, edhe pse aty ankorohen çdo ditë jahte dhe anije turistike që sjellin mijëra vizitorë.

E gjithë kjo mrekulli, në vetëm 279 kilometra katrorë. Jo më kot, mes personave të famshëm që kanë blerë nga një pronë aty renditen Eric Clapton, Oprah dhe Giorgio Armani. E nëse nuk e përballoni dot çmimin e pasurive të paluajtshme, stafi në më shumë se 30 hotele do t’ju bëjë të ndiheni si në shtëpi.