15:49 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Ismaili dhuron autoambulancë për Neonatologjinë, shërbim i ri që pritet të ulë numrin e vdekjeve te foshnjat

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, sot i ka dhuruar një autoambulancë Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.

Me dhurimin e kësaj autoambulance, në këtë klinikë është shtuar edhe një shërbim i ri, që është bartja e foshnjave me probleme nga 7 qendrat kryesore të vendit për në QKUK në mënyrë profesionale.

Kjo pritet të ulë edhe shkallën e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore.

Pas dorëzimit të kësaj autoambulance, ministri Ismaili ka thënë se që nga sot, foshnjat e porsalindura me probleme shëndetësore në 7 qytetet kryesore të Kosovës, do të transportohen për në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, me autoambulancë me të gjitha pajisjet për transport profesional.

“Me dhurimin e kësaj autoambulance, kemi shtuar një shërbim të ri në QKUK, i cili ka munguar deri më sot. Pas ofrimit të këtij shërbimi emergjent dhe profesional, ne presim që edhe shkalla e vdekshmërisë te foshnjat e lindura para kohe me probleme shëndetësore, të ulet edhe më tej. Urime Klinikës së Neonatologjisë për fillimin e këtij shërbimi të ri”, ka thënë ai.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka thënë se ky është një shërbim i ri të cilin nuk e ka asnjë institucion publik shëndetësor në rajon, dhe i cili, do të lehtësoj punën për profesionistët shëndetësor dhe do të shtoj kujdesin për nënat dhe foshnjat e porsalindura.