09:30 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / indeksADMonline

Ismaili: Mini-Shengeni është i dëmshëm, është trumbetuar nga Vuqiq

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili konsideron se Mini Shengeni si projekt, është trumbetuar specifikisht nga Aleksandër Vuqiq.

Sipas saj, karakteri dominues dhe përvetësues i Mini-Shengenit është i dëmshëm.

“Ky projekt thellon diferencimin etnik nën petkun e zhvillimit ekonomik dhe tregtisë së lirë. Veçon në një anë shqiptarët dhe në anën tjetër, serbët, duke anashkaluar në një formë kosovarët”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Shkrimi i saj i plotë:

Mini Shengeni: Dy disfavore

Mini Shengeni si projekt, është trumbetuar, së paku në diskurse të liderëve promoterë, specifikisht nga Aleksandër Vuqiq, se derivon nga linja e njejtë e Samitit të Triestës, samit në të cilin u zotua për mbështetjen e arritjeve të mëparshme në samitet e tjera, Berlin, Vjenë dhe Paris.

Disa nga aspektet kryesore që kishin të bëjnë me këto zotime përfshinin shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të shteteve të Ballkanit.

Por, a është linjë e njejtë e pikave të lartëcekura Mini-Shengeni dhe a e përmirëson në fakt jetën e qytetarëve të Kosovës në veçanti ky projekt, pasi që zhvillimi ekonomik përfshin edhe këtë të parën në vorbullen e tij?

Para se të dalim te kjo çështje, duhet përmendur një aspekt tejet negativ. Karakteri dominues dhe përvetësues i Mini-Shengenit është i dëmshëm. Ky projekt thellon diferencimin etnik nën petkun e zhvillimit ekonomik dhe tregtisë së lirë. Veçon në një anë shqiptarët dhe në anën tjetër, serbët, duke anashkaluar në një formë kosovarët.

Konkurrenca e lirë, si parim i tregut evropian dhe i marrë si model nga Mini-Shengeni, duhet të nënkuptojë mënjanimin e tarifave dhe barrierave të ngjashme, në mënyrë të barabartë për të gjitha shtetet e Ballkanit Përendimor, një gjë që më shumë i përket vetëm shkrimit në letër.

Mini-Shengeni mënjanon aspektin ekonomik, duke e rikthyer edhe njëherë pozicionimin e Kosovës në aspekt politik, si sfidë për implementimin e linjave të projektit, pasi që ende jemi në procese të pazgjidhura politike me shtetin Serb. Kjo ka prodhuar efekte të dëmshme në proceset e lartëcekura, duke iu mohuar shtëtësia Republikës së Kosovës nga vetë Serbia së pari, pastaj edhe si tërës e pjesëmarrjes në këto samitë, saqë kemi pasur pengesa edhe në implementimin e fondeve për infrastrukturë.

Kjo situatë favorizon shtetin serb, sepse sa i përket GDP-së, posedon thuajse gjysmën e GDP-së së përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces.

Nga projekti i Mini-Shengenit jemi në dy disfavore, atë politik dhe në atë ekonomik. Nuk ekzistojnë garanca për bashkëpunime të ndërsjella ndërmjet vendeve dhe më kryesorja, nuk ka trajtim të barabartë. Trajtimi i barabartë i shteteve për njëri tjetrin nuk është i mundun në suaza të synimeve dhe aspiratave të shtetit serb që ka për Republikën e Kosovës. Dhe ky është problemi kyç.