75 Mall Live Search
17:34 / E Martë, 30 Qershor 2026 / KV

Istogu bëhet pjesë e Kartës Evropiane të Rinisë, nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit

Këshilltarja politike e ministrit për Sport dhe Rini, Blerim Gashani, Donika Zogu, ka bërë të ditur se Komuna e Istogut është bërë pjesë e rrjetit të Kartës Evropiane të Rinisë, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit.

Sipas Zogut, memorandumi u nënshkrua së bashku me Artina Bojkun, koordinatore e Kartës Rinore Evropiane – Kosova për Kosovën, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në shtrirjen e programit në nivel lokal.

Ajo theksoi se programi financohet nga Ministria e Sportit dhe Rinisë, me synimin që sa më shumë të rinj në Kosovë të përfitojnë nga mundësitë që ofron Karta Evropiane e Rinisë. Përmes saj, të rinjtë bëhen pjesë e një rrjeti evropian të pranishëm në mbi 35 shtete, duke përfituar zbritje dhe mundësi në arsim, kulturë, sport, udhëtime dhe fusha të tjera.

Zogu falënderoi kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë për këtë iniciativë, duke vlerësuar angazhimin e tij në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.

Ajo shtoi se synimi i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë është që Karta Evropiane e Rinisë të shtrihet në çdo komunë të Kosovës, në mënyrë që çdo i ri të ketë qasje në përfitimet që ofron ky program.