18:41 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Istogu me memorandum përkrahë Programin Nacional për Rininë

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, sot nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollës, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. Ky program parasheh përfshirjen e të gjithë nxënësve në garë andaj e falënderoj z. Rugova për gatishmërinë për bashkëpunim përmes nënshkrimit të memorandumit”, u shpreh Koordinatori Hoti.

E Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova vlerësoi së një program i tillë ka qenë më se i nevojshëm për të rinjt.

“Procesi i arsimit përmes këtyre garave që i parasheh Programi juaj do të ngrisin cilësinë, sidomos përmes anës praktike të sportit ku do të ndikojë pozitivisht te secili nxënës. Ne në të gjitha shkollat i kemi fushat sportive që e mundësojnë zhvillimin e garave. Ne e mbështesim programin dhe do të përpiqemi që të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kryetari Rugova.

Koordinatori Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri i cili tha se MAShT mbështet Koordinatorin dhe programin e tij.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.