09:40 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

Iu grabitën 2 mijë e 500€ kur shkoi për të blerë narkotikë në Gjakovë, paraburgim për të dyshuarit

Nën kërcënimin e armës tre persona kanë grabitur 2 mijë e 500 euro nga një qytetar i Gjakovës, para dy ditësh.

Të njëjtit u arrit të arrestohen dy orë më vonë. Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë sot kërkesë për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore, kundër katër të pandehurve, G.V., S.P., J.P.,B.N., me dyshimin se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “ grabitje”, nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 34 të KPRK-së.

“Më 14.05.2019, rreth orës 19:30, në Gjakovë, pikërisht në rrugën “Washingtoni” katër të pandehurit, të përgatitur më herët për këtë lloj grabitje, e kanë pritur të dëmtuarin Rr. K., i cili kishte ardhur nga Prishtina për tu takuar me të njëjtit ,me qëllim të blerjes së narkotikëve.   Të pandehurit në fjalë e kishin ftuar të shkonte te vetura e tyre, dhe pasi e kanë shëtitur në drejtim të “shkugëzës”,  me armë zjarri e kanë kërcënuar duke ia marrë 2.500 euro”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Të pandehurit G.V, S.P., J.P., dhe B.N., me urdhër të Prokurorit të shtetit janë në mbajtje nga data 15.05.2019, dhe i njëjti ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.