15:58 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ivanov: Zgjidhja e emrit nuk duhet të prek në identitet

Tejkalimi i dallimit rreth emrit duhet të jenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet e ndërmarra ndërkombëtare, ka theksuar presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në takimin e sotëm në Shkup me ambasadorin, Methju Nimic, i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit.

Duke e përshëndetur intensifikimin e dialogut, Ivanov ka potencuar se zgjidhja për dallimin rreth emrit mund të kërkohet vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe e ka riafirmuar qëndrimin se është i nevojshëm respektim strikt i kornizës në të cilën bëhen bisedimet – Karta e Kombeve të Bashkuara, rezolutat e Këshillit të Sigurimit, Marrëveshja e Përkohshme dhe aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ivanov ka theksuar se Republika e Maqedonisë do të vazhdojë edhe më tej në mënyrë konstruktive të marrë pjesë në proces, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes në kontestin e imponuar nga Greqia, e cila nuk do ta prek identitetin e popullit maqedonas dhe nuk do ta prek dinjitetin e qytetarit maqedonas.

Në takim, siç kumtoi kabineti i Ivanovit, është shqyrtuar gjendja aktuale me procesin i cili udhëhiqet nën mbështetjen e KB-së dhe janë këmbyer informacione dhe mendime lidhur me idetë dhe mendimet e të dërguarit special Nimic, si dhe me rezultatin e vizitës së tij në Athinë.