08:24 / E Shtunë, 11 Nëntor 2023 / A. M.

Izraeli rrethon me tanke spitalet në Gaza, përfshirë atë të fëmijëve

Forcat ushtarake izraelite kanë rrethuar spitalet kyçe në Gaza, Al-Shifa, Al-Quds, Al-Rantisi dhe Spitalin Indonezian, ku raportohej për shpërthime brenda apo pranë tyre gjatë gjithë ditës së djeshme.

Rrethimi i spitaleve nga forcat ushtarake izraelite vjen pasi ata kanë akuzuar Hamasin se po vepron nga tunelet nën spitalin Al-Shifa, për të cilën Hamasi e ka mohuar.

Në një video të publikuar nga BBC, shihej një grua në spitalin e fëmijëve Al-Rantisi, i cili ishte i rrethuar me tanke dhe me njerëz që u urdhëruan të evakuoheshin, transmeton Klankosova.tv.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq paralajmëroi se spitalet në Gazën veriore kanë “arritur në një pikë pa kthim”, duke rrezikuar jetën e mijëra njerëzve.

Kujtojmë se mbrëmë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgjigj se liderët botërorë duhet të dënojnë Hamasin, jo Izraelin.