17:56 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Ja çfarë mendojnë qytetarët për ndalimin e qarkullimit të veturave

Ndotja alarmante e ajrit që po mbizotëron ditëve të fundit në Prishtinë, i ka shqetësuar mjaft qytetarët e vendit, e sidomos ata që janë banorë të kryeqytetit .

Disa nga ta shprehen të kënaqur me ndërmarrjen e masave nga Komuna në bashkëpunim me Qeverinë, duke e parë si një vendim që duhej marrë më herët, e disa nga ta janë të pakënaqur sepse ky vendim pengon bizneset dhe veprimtaritë e qytetarëve.

Qytetari Halim Ymeri, ka thënë se mirëpret çdo hap që ndërmerret nga institucionet për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Çka të ndërmerret për atë drejtim mirë është, por pak bile… Ndoshta pak pastrohet ajri, hiqet mjegulla”… tha ai.

Ymeri mendon se janë automjetet ato që e kanë shkaktuar këtë ndotje të ajrit.

Edhe qytetari Enver Morina, pohon se kjo gjendje nuk është e favorshme për qytetarët, bile ai si me shaka thotë se mjafton që e kemi vendin e parë për diçka.

“Nuk është akt i keq, është me vend se nuk bën të shkojë njerëzimi ashtu me ndotje, vendin e parë e kemi zënë me ndotje, shyqyr që e zumë një vend të parë por s’ka kuptim ta tolerojmë një veprim të tillë. Duhet me marrë masa e shpresoj të vetëdijësohen pak, e edhe këto automjetet e vjetra të kenë kujdes … Edhe përdorimi i thëngjillit sigurisht se e ka shkaktuar, e sidomos Obiliqi”, tha ai.

E Rrahman Rrahmani, këto vendime i sheh të vonuara, meqë sipas tij ka kohë që Prishtina përballet me ndotje të ajrit.

“Unë mendoj se këto janë të vonuara, se këto jo vetëm që ndodhin këtë vit edhe vitin e kaluar, por qe shumë vit janë, nuk mund të themi se është mirë kjo, sepse kjo pengon edhe në biznese, edhe te qytetarët edhe tek të gjitha, por kur është në pyetje për ruajtjen e shëndetit dhe jetën e njeriut prapë them se mirë është kështu. Por, nuk ndalet vetëm me këto, nuk rregullohet kjo çështje vetëm me këto”, tha ai.

Për t’a shmangur rritjen e ndotjes së ajrit, prej nesër Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Qeverinë ka ndaluar qarkullimin e veturave në disa pika të kryeqytetit, me përjashtim të transportit publik, atyre të rasteve emergjenteve, veturave zyrtare si dhe taksive të licencuara.

Është paralajmëruar se në rast neglizhimi nga pjesëmarrësit e komunikacionit me mjete motorike, do ndërmerren masa rigoroze.