Ja çfarë thonë qytetarët që festuan sot në Gërmi (Foto)
Parku Gërmia ende mbetet vend joshës për qytetarët e Kosovës që e festojnë 1 Majin. Edhe këtë të martë, ky park ishte i mbushur përplot me qytetarë nga të gjitha vendet e Kosovës.
Secili festonte dhe argëtohej në mënyrën e vet. Dikush duke luajtur me top, dikush duke vallëzuar e dikush tjetër edhe duke festuar jo vetëm 1 Majin por edhe ditëlindjen.Milot Agushi nga Klina sot i ka mbushur 21 vjet. Ai me shokët e tij kanë dal në parkun Gërmia për të festuar ditëlindjen dhe për t’u argëtuar. Me vete nuk kanë harruar të marrin birra dhe mish. Ky i fundit piqej në prush në ambient të hapur.
Arsyen pse kanë zgjedhur parkun Gërmia për të festuar ditëlindjen e shokut e sqaron Alfred Veseli student i Edukatës Fizike. “Kemi dal sot në Gërmi sepse është 1 Maji dhe se një shok I joni e ka ditëlindjen, Milot Agushi, sot I bon 21 vjet dhe e kemi shfrytëzuar rastin që të njëjtën kohë me festu ditëlindjen e tij dhe 1 Majin për shkak të ambientit të ajrit të pastër dhe krejt e kena shfrytëzu me ba grill. Jemi të qyteteve tjera, Klinë, Mitrovicë, Prishtinës, Gjilanit, Kaçanikut”, tha Veseli.
Në mënyrë të organizuar kanë ardhë nga Mitrovica edhe disa nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi”. Edmond Ujkani tha për KosovaPress se sivjet kanë dashur ta ndërrojnë vendin pasi që kanë parë më herët edhe vende tjera. Sipas tij është mirë që çdo vit të shkojnë nëpër vende të ndryshme të Kosovës që të rinjtë t’i mësojnë ato. “Sot kena ardhë me një kolektiv të shkollës me përafërsisht tre autobusë me rreth 180 nxënës. Viteve tjera kemi qenë në Bajgorë edhe atje bëhet një organizim I tillë, sivjet kemi vendos me ndërru pak dhe kërkesa e madhe e nxënësve e ka jap atë që me ardh pak në Prishtinë. Ne duam t’i vizitojmë edhe vendet tjera përveç Prishtinës”, tha Ujkani.
Bashkë me grua dhe fëmijë në Gërmi kishte dal edhe Isa Baftiu nga Shtimja. Për këtë banor ky vend është më i miri në Kosovë dhe se nuk e ndërron me vende tjera.
“Këtu është një vend i mirë këtu Gërmia. Sa i përket Kosovës sipas meje është vendi më i mirë. Vijmë çdo vit…do të vijmë edhe viteve të ardhshme”, tha Baftiu.
Ndërsa Nebih Makolli kishte dal vetëm në Gërmi pasi që familja e tij kishin shkuar të gjithë në fshatin nga vijnë, Marec. Makolli tha se pothuajse çdo ditë del në këtë park për të marr ajër të pastër. “Kemi dal me shëtitë pak, natyra, ajri i mirë, qata kena dal. Unë dal edhe ditëve tjera zakonisht kur jam i lirë, vi qik’ha pushoj ajri shumë i mirë… duhet me pas edhe vende tjera por niher me qita duhet mu pajtu. Jam dal vet shoqja me fmi kanë shku në katun”, tha Makolli.
Gjatë kohës sa po festohej për ambientin dhe heqjen e mbeturinave kujdesej Ndërmarrja Hortikultura, ndërsa prezentë ishte edhe Policia e Kosovës. Kjo e fundit përkujdesej edhe për mbarëvajtjen në komunikacion ku për shkak të dyndjeve të mëdha drejt parkut Gërmia. Përveç ambulancës, Policisë, mediave dhe autobusëve urban rruga nga Taukbahçja deri në Gërmi ka qenë e mbyllur për vetura.