10:29 / E Shtunë, 28 Shtator 2019 / indeksADMonline

Ja kur mbahet gara e fundit e automobilizmit

Gara e fundit e disiplinës malore për kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm mbahet në këtë fundjavë në Goden të Gjakovës.

Auto Klubi HCR Gjakova dhe Federata e Auto Sportit e Kosovës i kanë marrë të gjitha masat që edhe kjo garë të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu sikur edhe pesë garat paraprake.

Një gjë është e sigurt. Rivaliteti këtë herë, sidomos në disa klasa, do të jetë edhe më i madh për faktin se gara është përcaktuese për renditje në plasmanin e përgjithshëm.

Numri i garuesve pritet të jetë i madh, ndërsa edhe interesimi i dashamirësve të auto sportit padyshim që do të jetë i kënaqshëm.

Të shtunën prej orës 08-10:00 bëhet paraqitja në garë për të vazhduar më pas me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik, ndërsa vozitja e parë pritet të fillojë në orën 12:30.

Të dielën, duke filluar nga ora 10:00 bëhet renditja e garuesve në bazë të rezultateve të arritura të shtunën dhe pas procedurave të zakonshme, gara fillon në orën 12:00.

Policia e Kosovës, Brigada e Zjarrfikësve dhe Ndihma e Shpejtë do të asistojnë në garë, ndërsa organizatorët shpresojnë se nuk do të ketë nevojë për intervenimin e tyre.