08:50 / E Shtunë, 31 Mars 2018 / indeksADMonline

Ja pamjet që dëshmojnë se gylenistët u larguan nga Kosova (Video)

Askush nuk kishte informacion se a u larguan nga Kosova ditën kur u arrestuan.

Deri më tani gjithçka ishte e mjegullt se çfarë ka ndodhur me gjashtë shtetasit turk që u arrestuan më 29 mars në Kosovë dhe pikëpyetja më e madhe ishte se a u deportuan në Turqi?

Familjarët e të arrestuarve këmbëngulnin se të arrestuarit gjenden në Kosovë, konkretisht në pjesën e vjetër të aeroportit të Prishtinës.  Ata kalojnë nga pjesa e zonës VIP e Aeroportit të Prishtinës për të kaluar më pas tek aeroplani i Inteligjencës turke ku po i priste në pistë.

Të arrestuarit shihen se janë të shoqëruar nga policia e Kosovës dhe, në video shihen qartë se ata kanë kaluar në zonën VIP të Aeroportit të Prishtinës rreth orës 10:00 të mëngjesit, raporton lajmi.net. Gjithashtu pamjet e tjera tregojnë një kombi-bus që i ka shoqëruar deri të aeroplani turk për t’i nisur më pas në Turqi.

Nga ana tjetër, mediat turke, raportojnë se të deportuarit tash janë duke u marr në pyetje nga prokuroria turke.

Kujtojmë, se me insistimin e familjarëve, mbrëmë (e premte) Aeroporti i Prishtinës u kontrollua nga EULEX-i për të vërtetuar se a janë deportuar nga Kosova gjashtë shtetasit turq të arrestuar mëngjesin e së enjtes. EULEX-i gjatë kontrollues nuk gjeti asgjë.

Të arrestuarit janë identifikuar si Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina.

Ndryshe, pas puçit të 15 korrikut të viti 2016, Turqia akuzon Fethullah Gylenin, krerikun mysliman që jeton në SHBA për orkestrim të grushtshtetit dhe e ka deklaruar lëvizjen e tij si terroriste.