75 Mall Live Search
19:55 / E Hënë, 24 Shtator 2018 / indeksADMonline

Jashari e Lladrovci, takojnë Ali Ahmetin

Kryetarët e Skënderajt dhe Drenasit, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci, kanë takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe kanë dhënë një porosi për qytetarët shqiptarë, sepse “sot, më shumë se kurrë, shqiptarët në Maqedoni por edhe gjithkund ku jetojnë, duhet të jenë të bashkuar, rreth ideve dhe interesave madhore për kombin”.

Bekim Jashari ka shkruar në rrjetin social “urojmë të keni sukses në Referendum, së bashku me të gjitha forcat përparimtare të Maqedonisë, fitojeni të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike!”.

Ja mesazhi i plotë i Bekim Jasharit në rrjetin social:

“Takimi me Aliun, çdo herë është për t’u mbajtur mend, së bashku me Ramizin dje e vizituam në shtëpinë e tij dhe bashkëbiseduam gjatë.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët në Maqedoni por edhe gjithkund ku jetojnë, duhet të jenë të bashkuar, rreth ideve dhe interesave madhore për kombin. Interes i tillë është anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në BE i secilit shtet ku jetojnë shqiptarët, bashkim me vlerat dhe përkatësinë me botën demokratike perëndimore.

Shqiptarët duhet ta thonë qartë po në Referendumin e 30 shtatorit. Këtë duhet ta bëni ju për veten Tuaj, familjen dhe kombin. Po NATO, po BE. Secila votë Juaja, ka vlerë, dilni votoni! Nuk duhet humbur kohë, vonestarët i ndëshkon historia. Përkatësia jonë perëndimore është e vulosur nga mijëvjeçarët, e kemi thënë dje, e themi edhe sot, ne i takojmë me gjithçka Evropës dhe vlerave të saj.

Shqiptarë, qytetarë të Maqedonisë, dilni e votoni, zgjidhni rrugën e dritës, rrugën e përparimit, rrugën e shteteve që ruajnë dhe promovojnë vlerën e qytetarit pa dallim dhe të drejtat e tij, të vlerave të secilit komb, lirisë dhe historisë pa diskriminim.

Mos lejoni të kthehemi prapa, mos lejoni të bëhemi peng i mendësisë së huaj dhe kundër interesit tonë nacional. Urojmë të keni sukses në Referendum, së bashku me të gjitha forcat përparimtare të Maqedonisë, fitojeni të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike! Me nderime, Bekim Jashari Ramiz Lladrovci”