00:01 / E Enjte, 14 Maj 2020 / indeksADMonline

Jo vetëm Lautaro, Barça kërkon dy qendërmbrojtës në Serinë A

Edhe pse është periudhë e pazakontë për futbollin, për shkak të pandemisë së Koronavirusit, zërat që lidhen me merkaton shtohen po orë pas ore. Për momentin, në merkato më aktiv duket klubi i Barcelonës. Emrat e përmendur si objektiva të katalanëve janë vërtet sugjestionues.

Nuk është sekret interesi për Lautaro Martinezin dhe Miralem Pjanicin, por orët e fundit kanë dalë mbi sipërfaqe edhe dy futbollistë që mbulojnë rolin e mbrojtësit: Matthijs De Ligt dhe Milan Skriniar. Janë dy emra të rëndësishëm, me moshë të re të, cilët pa diskutim do të përforconin repartin e pasmë të “blaugranëve”.

Barcelonës, për hir të së vërtetës, i duhet të ndërhyrë në mbrojtje, pasi Pique tashmë 33-vjeçar, nuk është në pranverën e karrierës së tij. Për De Ligt klubi spanjoll shfaqi interes të vazhdueshëm edhe në merkaton e verës 2019, por në fund Mino Raiola sugjeroi, ose më mirë vendosi, që për 85.5 milionë euro ai të transferohej tek Juventusi.

Sezoni që u ndërpre nuk ishte ndër më të mirët për 20 vjeçarin, megjithatë kjo nuk e ka zbehur dëshirën e drejtuesve “azulgrana” për ta pasur në skuadër dhe për ta ribashkuar me De Jongun. Skriniar, ndërkohë, ka zhvilluar një sezon fantastik në radhët e Interit, për këtë arsye nuk është aspak çudi që Barcelona është vendosur mes kandidatëve për shërbimet e sllovakut.

Për momentin, nuk ka bisedime konkrete, por katalanët janë të gatshëm të përdorin shumë alternativa për të mbërritur te De Ligt e Skriniar. Ka gjasa që të përdoren emra të tillë si Umtiti, Semedo, Raktic e Vidal për të reduktuar kërkesat financiare të Juventusit e Interit.