22:48 / E Martë, 14 Janar 2020 / indeksADMonline

Johnson: Kritikët e Huawei-t të propozojnë alternativa

Kryeministri britanik, Boris Johnson u bëri thirrje kritikëve të Huawei-t që të ofrojnë alternativa për prodhuesin e pajisjeve të telekomit kinez, i cili ka një epërsi ndaj konkurrentëve të tij në teknologjinë 5G.

Kryeministri tha se britanikët meritojnë të kenë qasje në teknologjinë më të mirë të mundshme, duke kujtuar se qeveria e tij dëshiron të përqendrohet në modernizimin e infrastrukturës dhe në veçanti në sigurimin e aksesit në internet në shkallë të gjerë për të gjithë.

“Nëse njerëzit kundërshtojnë një markë apo një tjetër, ata duhet të na tregojnë edhe se cila është alternativa”, tha ai në emisionin “Breakfast” të BBC-së.

Klasa politike britanike është e ndarë në këtë temë.

Parlamentari konservator, Bob Seely i kërkoi Komitetit të Punëve të Jashtme të shqyrtojë përputhshmërinë e prodhuesit kinez me rrjetin kombëtar, duke thënë se një marrëveshje me gjigantin e teknologjisë do t’i hapte derën rrjetit britanik në Pekin.