20:01 / E Shtunë, 20 Prill 2019 / indeksADMonline

Juventus, kampion i Series A për të 8-tin sezon radhazi

Katër ditë më parë “Allianz Stadium” u pushtua nga dëshpërimi, pasi Juventusi u eliminua nga Liga e Kampionëve, një kompeticion që bardhezinjtë e synojnë prej vitesh, por nuk ia kanë dalë ta sjellin në Torino.

Megjithatë festa dhe entuziazmi u rikthye sërish sot në Torino, pasi Juventusi arriti të sigurojë edhe matematikisht titullin e tetë kampion radhazi në Serinë A italiane.

Bardhezinjtë mposhtën Fiorentinën me rezultatin 2-1, falë golave të shënuar nga Alex Sandro dhe Pezzela në portën e tij, duke hapur shishen e shampanjës 5 javë para fundit të sezonit, që përkon edhe me mbrëmjen e Pashkës katolike.

Në një sezon të nisur mes entuziazmit që shkaktoi transferimi i bujshëm i Cristiano Ronaldos në kampin bardhezi, Juventusi tregoi edhe njëherë supremacinë në kampionatin italian, javë pas jave dhe ndeshje pas ndeshjeje, deri mbrëmjen e sotme.

Starti i sezonit ishte mjaft i vrullshëm për skuadrën e Allegrit, që numëroi plot 8 fitore radhazi, para se të ndalej në barazim pa gola ndaj Genoas, në javën e 9, ndërsa në javën e 18 erdhi barazimi i dytë sezonal dhe për të parë humbjen e parë, duhej të vinte java e 28, ku bardhezinjtë u mposhtën 2-0 sërish nga Genoa.

Kur kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur, Juventusi mbyll kështu thuajse të gjitha “hesapet” sezonale, pasi tashmë synimi i vetëm është që të merret maksimumi i pikëve, për të barazuar rekordin e 102 pikëve, të arritura në titullin e vitit 2013-2014, kur në stol ishte Antonio Conte.