12:48 / E Hënë, 15 Prill 2019 / indeksADMonline

“Kabineti inovativ” i Besim Beqajt shpenzoi mbi 168 mijë euro për një vit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) ishte një nga risitë e qeverisë së formuar në shtator të vitit 2017. Udhëheqja e saj iu besua Besim Beqajt, i cili paraprakisht ishte ministër në Ministrinë e Financave, të Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, shkruan Indeksonline.

E Beqaj së bashku me kabinetin e tij, përgjatë vitit 2018, për aktivitete e tyre ‘inovative’ kanë shpenzuar hiq më pak se 168 mijë e 470 euro.

E të gjitha këto, nga kjo ministri janë sqaruar në vetëm një faqe.

Prej 168 mijë e 470 euro, mbi 26 mijë euro janë shpenzuar për udhëtimet që kabineti i ministrit Besim Beqaj ka pasur jashtë vendit.

Sipas të dhënave të siguruara nga kjo ministri, 16 mijë e 638 euro e 12 cent janë shpenzuar për udhëtimet jashtë vendit, mbi 7 mijë e 756 euro për akomodim të udhëtimit, e 1 mijë e 879 euro për mëditje.

Shpenzimet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk kanë të ndalur me kaq.

Pagat e kabinetit të MIN-së, llogaritet të jenë 123 mijë e 144 euro e 12 cent.

Ndërsa, shpenzime për mbushje të VALA-së, 8 mijë e 40 euro.

Vetëm 1 mijë e 725 euro më shumë se për mbushje, kjo ministri ka shpenzuar për reprezentacion, apo thënë ndryshe për darka dhe dreka.

Kujtojmë se kjo ministri ndër synimet kryesore ka stimulimin e aktiviteteve inovative në Republikën e Kosovës dhe fuqizimin e sektorit privat. /Indeksonline/