14:26 / E Mërkurë, 05 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kadal beg se ka hendek, o Kadri Veseli !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Kadri Veseli e bashkëpartiakët e tij keqpërdorën tempullin e demokracisë, Albin Kurtin e Glauk Konjufcën i akuzuan si terroristë, pjesëtarë të “Syrit të popullit”. Propaganda e tyre është e mjerë, poshtëruese. Prokurori të mos heshtë, t’i ftojë ata për t’i argumentuar akuzat. Shpifarakëve bjeru në xhep, pastaj këndellen. Në Evropë e Amerikë, shpifësit shtrenjtë e paguajnë llogarinë.

—————————————————————

Tipat e Sigmund Freudit, ata që kanë probleme me nerva, i gozhduan rivalët e tyre politikë Albin Kurtin e Glauk Konjufcën në Kuvend, tempullin e demokracisë.

Shpifarakët janë ish- kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe bashkëpartiakët e tij Bedri Hamza, Uran Ismaili…

Kadria për Albinin tha: Ky është kreu i “Syrit të popullit”…

Glaukun e cilësuan si inspirues, rekrutues të “Syrit të popullit”, të cilën Gjyqi i Prishtinës e shpalli organizatë terroriste.

Shpifja e tyre është poshtëruese, e ultë, e ndyer, trashanike.

Pikësynim i tyre ishte ta kriminalizonin Vetëvendosjen, ta nxirrnin si terroriste.

Albin Kurti është intelektuali dhe politikani “par excellence”, jo vetëm në Kosovë, por përgjithësisht në botën shqiptare…

Kija inatin, po mos ia ha hakun!

Dhe Kadria, ish – shefi i SHIK-ut e fut Albinin në një thes me Murat Jasharin, i akuzuar për vrasjen në tentativ ndaj Azem Vllasit, të cilin gjyqi e shpalli person të pallogaritshëm penalisht.

Në një thes Albini me Murat Jasharin !

Më herët, kur u bëhej gjyq këtyre të “Syrit të popullit”, dëshmitarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli morën rolin e prokurorit, i akuzuan si terroristë Albinin e Glaukun.

Dihet cili është roli i dëshmitarit.

Albini e Glauku, siç dihet i paditën në gjyq për shpifje presidentin Hashim Thaçi dhe ish- kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Lënda është në gjyq, ajo pritet të aktivizohet.

Albini e Glauku s’bën të rrinë duarkryq. Le t’i padisin për shpifje edhe bashkëpartiakët e Kadrisë për ta çuar në vend drejtësinë.

Njerëzit rrojnë për të qenë të nderuar nga të tjerët. Dhe ti shpif, trillon gjera të paqena – me qëllim për të përlyer nderin a emrin e atij që ia ke inati, për t’i ngarkuar një faj që nuk e ka bërë, për ta njollosur.

Kjo është e tmerrshme, trishtim.

Prokurori kompetent duhet t’i ftojë Kadrinë e bashkëpartiakët e tij për t’i argumentuar akuzat e tyre ndaj Albinit e Glaukut.

Prokurori s’është argat i pushtetit, por i shtetit.

Po të ndodhte në ndonjë shtet të Evropës a Amerikës, ajo çfarë i ndodhi Albinit e Glaukut, shpifësit shtrenjt do ta paguanin llogarinë.

Shpifarakëve bjeru në xhep, pastaj këndellen.

Ndryshe, nëse heshtet, nuk nxirren në gjyq, ua shohim buçukun e sherrit.

Shpifarakët i nxisin të tjerët të hynë në zonën kriminale.

Ligji vepron “erga omnes”, njësoj për të gjithë. Ligji nuk i njeh presidentët, kryeministrat, kryekuvendarët…

Kosova ka rregulla e ligje, s’është anarki.

Kadal beg se ka hendek, o Kadri Veseli !