15:01 / E Mërkurë, 15 Shkurt 2023 / B O

Kam shpresuar në Albin Kurtin…

Shkruan, Liri Loshi

Sinqerisht, krejt çfarë kam shpresuar rreth Albin Kurtit ka qenë që ai të lëvizë nga pozicionet e ngurta, siç ka lëvizur që nga ardhja në pushtet e këndej. Pse? Sepse, një vend i vogël dhe një shtet i ri si Kosova duhet të ecën me shumë kujdes drejt ardhmërisë së vet dhe të veprojë konform fuqisë që ka dhe t’i përshtatet gjeopolitikës në rajon. Janë tri gjera që garantojnë suksesin e shtetit tonë:1. Koordinimi me Perëndimin, e sidomos me SHBA-në.2. Koordinimi i vazhdueshëm i politikës shqiptare jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me të gjitha grupet politike shqiptare në rajon. Dhe,3. Zhvillimi ekonomik i pandalshëm i Kosovës, ku qytetarët e saj gjejnë motivin për të jetuar me familjet e tyre.Në këto tri pika duhet të matet puna e çdo qeverie. Albin Kurti duhet të punojë në pjesën e dytë të mandatit në këto tri pika dhe t’i arnojë dështimet e veta, natyrisht pasi ta ketë bindur veten se përveç sukseseve, ka pasur edhe dështime.Aty ku është suksesi i Kosovës, aty është edhe suksesi i politikanëve që udhëheqin atë.Albin Kurti mendoj se ka bërë dhe po bën transformim në pikëpamjet dhe pragmatizmin e tij politik. Ky transformim është në dobi të Kosovës e mbase në dëm të Albin Kurtit, i njohur si lider parimesh. E, kur një politikan tërhiqet nga parimet, atëherë edhe impresioni i publikut për të ndërron dhe bëhet më pak popullor. Por, Kosova është dhe duhet të qëndrojë gjithnjë mbi individin dhe mbi çdo garniturë politike. Sepse, suksesi i Kosovës është sukses i popullit të saj dhe i njerëzve të rinj që vijnë pas nesh.(Autori ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021)