19:44 / E Shtunë, 27 Tetor 2018 / indeksADMonline

Kamerat kapin kafshë të rralla në një mal

Kamerat-kurth të përdorura nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit, regjistrojnë kafshë që mendoheshin të zhdukura apo të mërguara nga ky mjedis natyror.

Tashmë është një praktikë e re në ndjekjen dhe evidentimin e kafshëve në rrezik zhdukjeje apo të rralla në zonat pyjore të vendit tonë dhe kjo praktikë ndiqet nga AdZM-të e qarqeve.

Kohët e fundit këto kamera të fshehura, funksionojnë edhe në Malin e Tomorrit. Nga kontrolli i bërë në kamerat-kurth të vendosura në këtë park, janë regjistruar filmimet e kafshëve mjaft interesante, transmeton atsh.

Në këtë park ka kafshë të rralla si ariu i murrmë, ujku dhe macja e egër. “Nga kontrolli i kamerave-kurth në Parkun Kombëtar të malit të Tomorrit, deri më tani  rezultojnë kafshë të rralla si ariu i murrmë, mace e egër, derr i egër gjithashtu ka prezencë të madhe të kafshëve si dhelpra, baldosa, lepuri i egër, iriqi etj. Monitorimi i tyre është në vazhdimësi”, bëjnë me dije specialistët e faunës së egër në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Beratit.