20:05 / E Martë, 12 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kamerieri dëshmon për plagosjen e katërfishtë në Pejë

Kamerieri i lokalit “Brigde 2” ka dëshmuar sot në Gjykatën e Pejës për të shtënat e armëve që lanë të plagosur katër persona në qershor të këtij viti në qendër të Pejës.
Për këtë rast, të cilin Gjykata po e cilëson si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, po gjykohen Gëzim Hoxha dhe dy djemtë e tij, Rrezoni dhe Rrethimi.

Katër persona mbetën të plagosur në këtë incident që ndodhi më 7 qershor, dy vëllezërit Nexhdet e Bekim Kastrati, si dhe dy kalimtarë rasti, të dy të mitur.

Dëshmitari Egzon Papuqi tha se ditën kritike po rinovohej një pjesë e lokalit nga qiramarrësi.

“Atë ditë e kam filluar punën në orën 7:00 të mëngjesit. Rreth orës 10:00, në lokal ka ardhë Bekim Kastrati. Kam dëgjuar zhurmë, duke biseduar me vëllain e shefit, Selmanin, duke i thënë se pse po rinovohet një pjesë e lokalit e po i rritet çmimi, se kinse Bekimi don me ble pjesë të lokalit. Selmani e ka thirrë në telefon Gëzim Hoxhën, pastaj e ka marrë telefonin Bekimi e i ka thanë Gëzimit: Unë s’jam grua me folë në telefon, po hajde në Pejë folim si burrat”, tha dëshmitari.

Egzon Papuqi tha se pas disa orëve në lokal kishin ardhur Gëzim Hoxha me babën e tij të moshuar dhe dy djemtë e tij.

Dëshmitari tregoi se Hoxhajt ishin ulur në një tavolinë të pjesës se jashtme të lokalit, ndërsa pas disa minutave tha se kishte parë edhe vëllezërit Kastrati kur kishin ardhur në lokal, të shoqëruar nga dy persona tjerë.

“Në tavolinë kanë qenë baba i Gëzimit, ai Zina, Gëzimi me doket, edhe Beka e Nexhda”, tha Papuqi.

Dëshmitari tregoi edhe për momentet kur me vonë kishte dëgjuar zhurmë e më pas edhe krisma të armëve.

“Unë kam qenë në katin e dytë të lokalit dhe kam dëgjuar zhurmë. Pas disa minutave kam dal në dritare të katit të dytë dhe e kam pa Gëzimin me armë në dorë. Atë moment jam larguar dhe jam hy në banjo”, tha ai.

“Gëzimin e kam pa me armë në dorë në hyrje të tarracës së lokalit. Kur unë kam dal poshtë nuk kanë qenë aty asnjëri”, u shpreh dëshmitari para trupit gjykues.

Gjatë seancës se sotme pritej të dëshmonte edhe dëshmitari Zejnullah Turku, mirëpo ai nuk ishte i pranishëm për ta dhënë dëshminë e tij.

Ndërkaq, avokati Ramë Dreshaj, që mbron të akuzuarin, Rrezon Hoxha, në emër të avokatëve mbrojtës, e njoftoi trupin gjykues se sot kanë dorëzuar në Gjykatë një video-xhirim të incidentit si provë materiale.

“CD-ja e cila ka të bëjë me zhvillimet e ngjarjes se datës 07/06/2017 në ora 15:00 në kafiterinë “Brigde2”. Kjo CD me video-xhirim, do të justifikon dhe do t’i ndihmojë trupit gjykues, prokurores, mbrojtësve në ketë çështje penale dhe të arrihet deri te e vërteta”, tha avokati Dreshaj.

Por, këtë provë e kundërshtoi prokurorja, Sahide Gashi, e cila tha se mbrojtja është dashur në fazat e mëhershme ta prezantojë e jo në ketë fazë të shqyrtimit gjyqësor.

KALLXO.com raportoi dje për dëshminë e babait/gjyshit të të akuzuarve dhe të dy të miturve që mbetën te plagosur nga të shtënat e armëve në qendër të Pejës.