22:53 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Kapen në flagrancë duke futur drogë në Kosovë

Antidroga e Policisë së Shqipërisë ka arrestuar dy persona nga Kukësi pasi të njëjtit ishin kapur në flagrancë me automjetin e tyre duke transportuar lëndë narkotike në drejtim të Kosovës, raporton Indeksonline.

Në Policinë e Shtetit kanë thënë se nën pranga për 6.2 kg lëndë narkotike kanë përfunduar: I.A., 38 vjeç, banues në Kukës dhe E.M., 35 vjeç, banues në fshatin Pobreg, Kukës, (i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë”).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi, në vendin e quajtur “Kepi i Rinisë”, në fshatin Ujmisht-Kukës, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Volksëagen -Passat”, me drejtues shtetasin I.A., në pjesën e bagazhit u konstatua një thes, brenda të cilit gjendej një sasi prej 6.2 kg e dyshuar lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.

“Nga puna operative e strukturave të specializuar, rezultoi se shtetasi I.A., ishte transportues i lëndës narkotike dhe se bashkëpunonte me shtetasin E.M., i cili ishte porositësi i lëndës narkotike, me qëllim trafikimin e lëndës narkotike në drejtim të shtetit të Kosovës”, kanë thënë në polici.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal./Indeksonline/