08:06 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kaq ankesa u paraqiten te Avokati i Popullit këtë vit

Gjatë këtij viti kanë qenë 1774 ankesa të paraqitura në institucionin e Avokatit të Popullit, prej tyre 924 kanë qenë të papranueshme, 819 të tjera janë raste të hapura për hetim dhe 61 të tjera janë ankesa të hapura sipas detyrës zyrtare, kjo u bë e ditur në raportin preliminar që Avokati i Popullit shpalosi para medieve.

Zëdhënësja në këtë institucion, Majlinda Sinani-Lulaj, bëri të ditur se në vitin 2017 janë paraqitur 1774 ankesa, ndërsa numri i personave të përfshirë në ankesa është 3144.

“Numri i ankesave të paraqitura dhe rasteve të hetuara në institucionin e Avokatit të Popullit, numri i përgjithshëm i ankesave të paraqitura për vitin 2017, është 1774, gjithmonë po flasim për statistikat deri më përafërsisht 20 dhjetor. Numri i personave që janë të përfshirë në ankesat e paraqitura është 3144, numri i ankesave të shpallura të papranueshme 924, numri i rasteve të hapura për hetim nga ankesat e paraqitura 819, ndërsa rastet e hapura sipas detyrës zyrtare (Ex Officio), siç shpesh i referohemi është 61”, tha ajo, shkruan gazeta Zëri.

Lulaj po ashtu përmendi edhe fenomenin e dallimit gjinor që është i shprehur kudo në jetën publike në Kosovë, ku pjesëmarrja në ankesa është 74% për meshkujt, ndërsa 26% për femrat. Me këtë rast Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, u shpreh i kënaqur për disa nga arritjet në këtë institucion.