14:46 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Karateistët përgatiten në Bogë për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”

Kombëtarja e Kosovës në karate do të zhvillojë përgatitjet në Bogë të Pejës për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”.

Ekspedita e karatesë do të vendoset në Hotel Magra prej 13-19 qershor, derisa shpenzimet e përgatitjeve i mbulon Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).Herolind Nishevci, Alvin Karaqi, Orges Arifi, Fortesa Orana dhe Adelina Rama, janë pesë garuesit e karatesë që do të synojnë suksese në Tarragona 2018.

Përzgjedhësi i kombëtares së karatesë, Isak Curri, beson në fitimin e medaljeve.”Përgatitjet do të na ndihmojnë shumë. Të gjithë karateistët tanë kanë gjasa për medalje. Shumçka varet edhe nga shorti, andaj uroj të kemi fat në short”, tha Curri për KOK-un.

Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 mbahen në Spanjë, prej 22 qershor – 1 korrik 2018.Kosova merr pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare, derisa përfaqësohet nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë. Nga karateja gjyqtar është Ardian Muhadri.