17:51 / E Shtunë, 26 Maj 2018 / indeksADMonline

Kardiokirurgjia me gjashtë kardiokirurg, 82 operime në zemër për pesë muaj

Klinika e Kardiokirurgjisë në Kosovë aktualisht është duke kryer shërbime me vetëm gjashtë kardiokirurg.

Ndonëse, nuk është numër i madh, kjo klinikë vetëm për 5 muaj të këtij vitit ka kryer 82 operime në zemër të hapur, shkruan Indeksonline.

Mirëpo, është një numër i madh i qytetarëve që presin në rend për tu caktuar intervenimi kardiokirurgjik.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë invazive, Tefik Bekteshi për Indeksonline ka treguar se janë 120 pacientë që janë duke pritur që nga janari i vitit 2018 për tu regjistruar dhe caktuar data e ndërhyrje kirurgjike.

“Për regjistrim në listë të pritjes për intervenim kardiokirurgjik është e nevojshme dokumentacioni mjekësorë dhe vizita në Repartin e Kardiokirurgjisë, ku përcaktohet arsyeshmëria për intervenim kardiokirurgjik. Tani janë duke u thirr pacientët e regjistruar në janar 2018, në pritje janë 120 pacientë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë invazive për Indeksonline.

Për dallim prej vitit ku jemi aktualisht, në vitin që lamë pas janë kryer 128 operime në zemër, që shënohet si vitit që ka pasur numër të madh të operimeve.
“Këtë vit janë kryer 82 operime në zemër të hapur. Intervenimet në sallën e Kardiokirurgjisë, sipas viteve: 2013-23; 2014-58; 2015-90; 2016-111 dhe 2017 -128”, ka thënë ai në një përgjigje.

Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë është shprehur i kënaqur që kardiokirurgjia është funksionalizuar për 24 orë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga operacionet e zemrës që janë kryer në këtë klinike janë kursyer 3 milionë euro.

“Jam ndjerë jashtëzakonisht i kënaqur me statistikat që tregojnë se me funksionalizimin 24-orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të QKUK-së, është rritur dukshëm vëllimi i punës dhe janë shënuar rezultate në reduktimin e listave të pritjes. Ndër të tjera, janë kursyer edhe 3 milionë euro”, është shprehur ministri.

Me shërbimin 24 orësh të kësaj klinike, koronarografi janë kryer 1114, stentime 768, ndërsa operacionet 128.

Ndërsa, për katër muaj të këtij vitit me shërbimin 24 orësh koronarografi janë kryer 890, stentime 490.

Ndryshe, të paktën sipas shifrave zyrtare të institucioneve shëndetësore në botë nga sëmundjen e zemrës vdesin 17 milionë njerëz./Indeksonline/