20:22 / E Hënë, 21 Shtator 2020 / indeksADMonline

Karteli i kokainës, kush është vlonjati me nofkën “magazinieri”

Zbardhet dosja për 198 kg kokainë që u kap në portin “Gioia Tauro”, që ishte bërë gati për ta dërguar në Shqipëri. Report Tv ka siguruar foton e Jorin Llambros (Magazinieri) djali i një inxhinieri ndërtimi dhe njëri nga tre vlonjatët e arrestuar në Shqipëri, si pjesë e kartelit më të madh Shqiptar që trafikonte kokainë nga Ekuadori në disa vende të Bashkimit Evropian. Babai i tij, Loni Llambro drejton një kompani projektimi në Vlorë me emrin “Jano”, kompani e cila është regjistruar si biznes në vitin 1995.

Jorin Llambro bënte një jetë të qetë mes Vlorës dhe Tiranës. Në dosjen e prokurorisë Italiane ai konsiderohet në rolin e koordinatorit të kartelit dhe ishte përgjegjës për ngarkesat që vinin nga Ekuadori në portet e Holandës dhe më pas kryente, magazinimin e tyre

Llambro rezulton të jetë ideatori i trafikut të 198 kg kokainë nga Holanda në Shqipëri, duke shfrytëzuar territorin e disa shteteve evropiane. Sasia e drogës nuk është mundur që të futet në Shqipëri, pasi në datën 4 janar 2016 prokuroria e Antimafias së Firences, ka ndërhyrë duke kapur drogën në portin “Gioia Tauro” në “Reggio Calabria”, më datën 4 janar 2016. Ndërkohë Jorin Llambro, që prej datës 25 nëntor 2019 ishte shpallur si person në kërkim, pasi gjykata e Firences në Itali, kishte lëshuar një urdhër-arresti për akuzën e “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve” narkotike dhe “Pjesëmarrje në Organizatë Kriminale”.

Pikërisht në këtë datë janë shpallur në kërkim dhe shtetasit e tjerë Shqiptarë, Gentjan Manaj, Elvis Jaupaj, Jorin Llambro, Rexhino Ibrahimi, Vladimir Lesaj, Eldi Dizdari, Lek Colaj, Gjergj Lesaj, Sokol Aliko (Memetaj), Robert Varga etj. Sipas vendimit të gjykatës së Firences tregohet Jorin Llambro, ka qenë pjesëtar në një shoqëri të gjerë dhe të fuqishme kriminale, që synonte trafikimin e drogës, kryesisht kokainë nga Amerika e Jugut në Itali dhe kjo gjë bëhej përmes Holandës. Kjo shoqëri kriminalë përbëhej mbi të gjitha nga shtetas shqiptarë. Sasi të mëdha të drogës u transportuan në mënyrë të përsëritur nga Ekuadori, Amerika e Jugut në Holandë dhe prej andej në Itali dhe në vende të tjera të Evropës.

Ndër episodet që Jorin Llambro, akuzohet nga autoritet gjyqësore italiane është transportimi i 198 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri përmes Italisë. Për fat të mirë, kjo ngarkesë e madhe ka përfunduar e kapur nga policia në portin “Gioia Tauro” në “Reggio Calabria” më datën 4 janar 2016.