14:45 / E Enjte, 29 Nëntor 2018

Katër të arrestuar në Prizren për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Prizren, të cilët dyshohet se kanë përdorur dhunë në familje.

Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë njoftimi i policisë rajonale të Prizrenit për dy raste të ndara:

Rasti i parë:

Me datën 28 nëntor Policia në Prizren ka pranuar informatë për dy raste të kryerjes së veprës penale ‘kanosje’, të cilat kanë ndodhur në Prizren, ku pas një pune hetimore të njësiteve relevante policore, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy  persona të dyshuar (R. K. dhe A. S.), të cilët  dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘kanosje’.

Personat dyshuar tashmë të arrestuar dyshohen  të jenë përfshirë në dy raste të kanosjes (dhunës në familje), ku njësitë  patrulluese iu kanë përgjigjur rasteve.

Të dyshuari janë të njohur për organet e rendit edhe si  përdorues të lëndëve narkotike ku në vazhdimësi i kanosin  familjarët e tyre duke iu kërkuar të holla.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarve iu  shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë.

Rasti i dytë:

Me datën 28 nëntor, rreth orës 16:00 në Prizren, pas një pune hetimore të njësiteve relevante policore, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy persona të dyshuar (A. R. dhe B. R), të cilët dyshohet se në fshatin Korishë të Prizrenit kanë kryer veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’.

Personat e dyshuar tashmë të arrestuar dyshohet të jenë përfshirë në një rast të dhunës në familje, njësitë patrulluese iu kanë përgjigjur rastit, ku viktimën dhe të dyshuarit i kanë shoqëruar në stacionin policor.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar, të cilët në praninë e avokatit mbrojtës kanë pranuar veprën e kryer. Po ashtu të lënduarve iu jepet ndihmë mjekësore në emergjencën e spitalit rajonal në Prizren.

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarve iu shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë. /Indeksonline/