75 Mall Live Search
00:02 / E Diele, 22 Mars 2026 / MSH1

KEK-u shpall tender për furnizim me pllaka për mullinj

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur njoftimin për kontratë, në kuadër të procedurave të prokurimit, me qëllim furnizimin me pllaka për mullinj për blloqet A3, A4 dhe A5.

Sipas njoftimit të publikuar, kontrata është e tipit “furnizim” dhe do të realizohet përmes procedurës së hapur.

Vlera e parashikuar e saj arrin në rreth 400 mijë euro, raporton IndeksOnline.

Furnizimi do të bëhet në depon e TCA-së në Obiliq, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 120 ditë nga momenti i dhënies së saj.

Autoriteti kontraktues ka bërë të ditur se kriteri për dhënien e kontratës do të jetë çmimi më i ulët, ndërsa operatorët ekonomikë duhet të përmbushin kërkesat ligjore, profesionale dhe teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar më 4 maj 2026 në ora 13:00, përmes platformës elektronike të prokurimit, ndërsa në të njëjtën ditë do të bëhet edhe hapja e tenderëve në zyrat e KEK-ut.

Operatorëve ekonomikë u kërkohet gjithashtu sigurim i tenderit në vlerë prej 5 mijë eurosh, si dhe sigurim i ekzekutimit të kontratës në masën 20 për qind të vlerës së saj./IndeksOnline/