07:36 / E Hënë, 04 Mars 2019 / indeksADMonline

Këllëfët për telefonët me ekrane me palosje…

Kur nuk ka kaluar as një javë nga debutimi i telefonëve të parë me ekran që palosen, kompanitë kanë filluar të prodhojnë këllëfët e parë.

Spigen është një prej të parëve që ka përgatitur një dizajn dhe publikuar foto të tyre për tre produkte që ka në plan të sjellë për Galaxy Fold.

Kasat ndajnë thuajse dizajn të ngjashëm ku këllëfët frontal mbrojnë skajet e ekranit 4.6-inç ndërsa në pjesën e pasme gjendet prerja e sistemit të trefishtë të kamerave.

Tre modelet janë Tourgh Armor, Ultra Hybrid dhe Thin Fit. Ato variojnë sipas nivelit të mbrojtjes nga plastika e trashë tek një këllëf silikoni i tejdukshëm.

Të gjitha kushtojnë afro 20 dollarë. Ndërsa në pamje të parë jemi të familjarizuar me kasat, detaji më interesant këtu është boshti që prodhuesit e këllëfëve nuk kanë pasur nevojë ta përfshijnë në të kaluarën.

Megjithatë çdo kompani e cila prodhon një telefon me ekran me palosje ka zgjedhur një qasje ndryshe. Huawei Mate përthyhet nga jashtë ndërsa i Samsung nga brenda në formën e një libri.

Ende nuk kemi informacion se çfarë mekanizmi fshihet pas boshtit. Gjithashtu nuk e dimë sesi do të mbrohen ekranet e telefonëve me palosje. Vetë Samsung nuk ka dhënë detaje nëse do të përfshijë një mbrojtës ekrani siç do të bëjë me Galaxy S10.

E vetmja gjë që Samsung thotë është se ekrani është testuar dhe u reziston 200,000 palosjeve, që i bie të jetë afro pesë vite përdorim intensiv. Kompania vijon më tutje duke thënë se u reziston gërvishtjeve, përplasjeve si dhe përthyerjeve.

Zagg, një tjetër kompani aksesorësh telefonikë, thotë se ka nisur zhvillimin e kasave për telefonët me ekran me palosje por që ende nuk ka diçka konkrete sepse nuk kanë telefonin në duar.

Duke pasur në konsideratë sfidat e të krijuarit të këllëfëve për telefonë krejtësisht të rinj, Zagg thotë se do të presë përpara se të komentojë nëse do të ketë kufizime funksionale.