12:22 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Ademi: Kam kontakte me Gjermaninë, Zvicrën dhe Kosovën, s’e di cilën kombëtare do ta zgjedh

Sulmuesi i Baselit, Kemal Ademi, po kalon një formë të lartë sivjet në elitën e futbollit zviceran.

Ai është golashënuesi i dytë më i mirë në Superligë me 6 gola. Edhe pse është 23- vjeçar, ende nuk ka luajtur asnjëherë për ekipin kombëtar.

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës i kanë bërë ftesë Ademit që të veshë fanellën e Kosovës, megjithatë ai ende nuk ka vendosur, transmeton Indeksonline.

Në një intervistë për mediumin “BZ Basel”, sulmuesi shqiptar ka thënë se është në kontakte me Kosovën, Zvicrën dhe Gjermaninë. “Këshilltari im është negociata me tre federatat. Por për momentin nuk kam stres dhe jam i koncentruar te Baseli. Gjithçka do të vijë natyrshëm me kohën”, deklaroi Ademi.

Pyetjes se për cilën kombëtare i rrah më tepër zemra, Zvicrën apo Kosovën, Ademi është përgjigjur: “Nuk dua ta komentoj këtë tashti”.

/Indeksonline/