12:39 / E Shtunë, 16 Maj 2020 / indeksADMonline

Keqpërdorimi i Pakos Emergjente, paralajmërohet padi ndaj MFT

Disa kompani, veçanërisht në sektorin e naftës, pastrimit dhe nga të ashtuquajturat qendra të thirrjeve (call center) kanë përfituar kundërligjshëm mjetet nga Pakoja Emergjente Fiskale, përkatësisht nga masa e 3-të për pagën 170 euro që janë paraparë për punëtorët e sektorit privat.

Për këtë, Ministria e Financave dhe Transfereve është në dijeni dhe ka pranuar se disa kompani mund të kenë përfituar pa i plotësuar kriteret e kësaj Pako, derisa bëjnë të ditur se një kompani që ka marrë mjetet në emër të punëtorëve pa të drejtë, veç ka filluar t’i kthejë parat.

Ndonëse drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës po kërkojnë nga Prokuroria e shtetit të nisin hetimet për keqpërdorimet e mundshme që janë bërë nga kompanitë ose Ministria e Financave dhe Transfereve.

Edhe Sindikata e Sektorit Privat po paralajmëron se në fillim të javës së ardhshme do të parashtrojnë padi ndaj Ministrisë së Financave që i ka mundësuar kompanive private të keqpërdorin mjetet e buxhetit të shtetit.

Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, për KosovaPress thotë së kanë informacione që këto ndërmarrje për kundër që janë paguar prej buxhetit të shtetit dhe kanë realizuar të hyra nga sektori publik, i kanë futur punëtorët në listë për masën për 170 euro, sipas të cilit nuk kanë pasur të drejtë për të aplikuar.

Ndërkaq shton se vetëm kompanitë që kanë qenë të mbyllura në këtë kohë kanë pasur të drejtë në këto mjete.