12:45 / E Mërkurë, 11 Mars 2020 / indeksADMonline

Kërcënoi stafin e IndeksOnline, dënohet me burgim Kastriot Shala

Kastriot Shala, personi i arrestuar në maj të vitit të kaluar për disa raste të grabitjeve, sot është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për kanosje të pronarit të IndeksOnline, Faton Shoshi dhe gazetarëve të IndeksOnline.

IndeksOnline më 2 janar 2019, kishte raportuar se si tre persona të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga policia për grabitje, Kastriot Shala, Leutrim Latfiti e Ridvan Ademi, ndodhen ende në arrati.

Pas publikimit të artikullit në IndeksOnline, Kastriot Shala ishte shfaqur nga një shtet i Evropës, duke kërcënuar përmes rrjeteve sociale, pronarin dhe stafin e IndeksOnline për publikimin e artikullit.

Katër muaj pas kërcënimit që bëri Kastriot Shala, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ai ndodhet ende në paraburgim ku do të gjykohet edhe për rastet e tjera të grabitjeve të kryera nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale, nëpërmjet një komunikate shtypi ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit K.SH., për veprën penale Kanosja nga neni 185 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I akuzuari K.SH. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim efektiv në  kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajsh, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë  pas  plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. I akuzuari K.SH., ishte akuzuar nga Prokuroria… pasi që më 02.01.2019 dhe 03.01.2019 në Prishtinë, me qëllim të shqetësimit dhe frikësimit përmes rrjetit social Facebook e kishte kanosur pronarin e portalit Indeksonline F.SH. si edhe gazetarët e tjerë të këtij portali me ç’rast te të dëmtuarit kishte shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka bërë të ditur se pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ndërsa i dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest civilo-juridik./IndeksOnline/