13:53 / E Premte, 01 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kërkesa e çuditshme e trajnerit të Anglisë, do arbitër aziatik në miqësoren ndaj Kosta Rikës

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka kërkuar një arbitër aziatik për të gjykuar miqësoren e “Tre Luanëve” kundër Kosta Rikës më 7 qershor në “Elland Road” të Lidsit. Arsyeja? Sepse tekniku dëshiron që skuadra e tij të mësojë nga eksperienca e stileve të ndryshme të gjykimit përpara Botërorit, për të ditur se çfarë e pret kur të shkojë në Rusi.

Për shkak se ishullorët nuk kanë një ekip aziatik në grupin e tyre të Kupës së Botës, ekziston një mundësi reale që një nga ndeshjet e tyre të gjykohet nga një gjyqtar nga Azia. “Konfederata Aziatike e Futbollit i nxit arbitrat e saj që të tregohen shumë striktë me zbatimin e rregullores.

Ata janë gjithashtu shumë striktë edhe me ndëshkimin e përplasjeve fizike”, paralajmëroi ish-arbitri më i mirë anglez, Mark Klatenburg për “The Times”. Në stërvitjen e djeshme, Southgate e përgatiti skuadrën për goditjet standarde, ndërsa një fokus të rëndësishëm i ka vendosur edhe penalltive.