10:36 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kërkohet që të kthehet në rigjykim rasti i Donjeta Pajazitit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbajtur një protestë paqësore para Gjykatës së Apelit, ku kanë kërkuar rishikimin e rastit të vdekjes së Donjeta Pajazitit.

Adelina Berisha nga RrGK, ka thënë se këtë protestë e kanë organizuar për të përkrahur familjen e vajzën nga Strellci e cila u vra më 9 nëntor 2015 dhe të gjitha rasteve të tjera që kanë të bëjnë me barazi gjinore.

Sipas saj, ky rrjet dhe familja e Donjeta Pajazitit po kërkojnë që të rishikohet edhe njëherë vendimi i Gjykatës së Pejës së shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor.

Sipas saj, në rast se i dyshuari kryesor është i pafajshëm atëherë organet e drejtësisë duhet të punojnë për gjetjen e fajtorit kryesor, që ai të sillet para drejtësisë.

“Jemi dalë në protestë paqësore t’u bëjmë thirrje Institucioneve të Drejtësisë që të marrin seriozisht rastin e të ndjerës Donjeta Pajaziti, të rishikojnë edhe njëherë të gjitha gjetjet nga Gjykata që shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor. Ne kërkojmë që të rishikohen edhe njëherë të dhënat nëse ky  vendim ka qenë i drejtë. Nëse i dyshuari nuk është shkaktar i vdekjes së Donjetës, të gjendet vrasësi i saj dhe të sillet para drejtësisë”, ka thënë Berisha./Indeksonline/