16:43 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Këshilltari në MTI, paralajmëron ministrin: PTK i ka rrëzuar dy qeveri

Këshilltari i Jashtëm i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Xhevdet Smakiqi, ka reaguar ndaj paralajmërimeve për uljen e rrogave në Telekomin e Kosovës duke thënë se deri më tani ‘PTK i ka rrëzuar dy qeveri e dy koalicone’.

Smakiqi që është edhe Drejtor për çështje ligjore në Postën e Kosovës parasheh 3 mijë e 500 padi të punëtorëve të Telekomit nëse ulen rrogat e tyre.

Pas krizës financiare që Telekomi ka pësuar kohëve të fundit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka kishte deklaruar se rrogat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje janë ‘enorme’.

Lluka herën e fundit kishte raportuar se paga mesatare në Telekom është rreth 980 euro, mirëpo në raportin e fundit thuhet se kjo është rreth 1 mijë e 100 euro deri në 1 mijë e 150 euro dhe se duhet bërë rikonstruktime, pasi pa to Telekomi është i pashpëtueshëm.

Këto deklarime nuk janë pritur mirë nga Smakiqi i cili në një status në Facebook ia citoi ligjet ministrit që sipas tij ia ndalojnë ndërhyrjen në pagat e ndërmarrjes.

“Përveç qe Ligji i Nderrmarrjeve Publike nuk e lejon aksionarin/Qeverinë që të ndërhyjë në çështjet operative te NP-ve siç janë pagat, madje sipas akteve nënligjore shih Kodin e Qeverisjes Koroporative që e ka aprovuar MZHE në mandatin e Besim Beqës, as vet Bordit të Drejtorëve nuk i lejohet t’i ndërhyjë Kryeshefit Ekzekutiv në përcaktimin e pagave të stafit përjashtim bëjnë sipas nenit 21 te LNP Zyrtarët e Lartë, poashtu Ligji i Punës i mbron fortë kontratat e rregullta të punes, bile në rast te ri-organizmit të NP-ve (shih nenin 17 te Ligjit te Punës)”, shkroi Smakiqi.

Ai po ashtu përmendi opsione të tjera që sipas tij mund të shpëtojnë telekomin nga falimentimi.

“Ka shumë alternativa tjera si: huadhënia nga Banka Qendrore apo Trusti me kthim sipas ratave, kredi bankare apo dhe mbitërheqje në barazvlerë në të hyrat mujore por që duhet menaxhuar me kujdes.Por dhe projekte zhvillimore te produkteve dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve dhe kujdesit të shtuar të konsumatorit në vala dhe telefoni fikse dhe IPTV”, përfundoi ai.