Këta janë tre kandidatët për kryetar të PDK-së në Drenas
Labinot Halilaj, Sejdi Hoxha dhe Naim Bazaj, janë futur në garë për kryetar të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas. Zgjedhjet e brendshme në PDK kanë përfunduar në të gjitha nëndegët e PDK-së në Drenas, ndërsa sonte finalizohet procesi me zgjedhjen e kryetarit. Ramiz Lladrovci i PDK-së, ndonëse e drejton Komunën e Drenasit, ka vendosur që të mos i futet garës për kryetar dege ani pse ka konfirmuar se do të punojë fortë për Dekadën e Re, raporton Indeksonline.
Që të tre kandidatët që synojnë të marrin timonin e PDK-së në bastionin e saj, Drenasin, kanë lobuar që disa javë në opinion që ta marrin besimin dhe të udhëheqin me PDK-në.
Labinot Halilaj, është kryesues i Kuvendit Komunal të Drenasit. Ai në kohën kur ka nisur procesi zgjedhor kishte thënë se “Dekada e Re nga nesër fillon në Drenas me zgjedhjen e strukturave nëpër nëndege, si zgjedhjen e kryetarit të nëndegës, kryesinë e nëndegës si dhe delegatët për degë. Partia Demokratike dega në Drenas ka histori, histori të ndërtuar në bazën e vlerave e të cilat vlera prej themelimit të saj e kanë bërë që ky subjekt të jetë subjekti me i votuar në degë, e cila degë është ndër degët më meritore edhe të fitores së Partisë Demokratike edhe në nivelin qendrore. Andaj duke dëshiruar të zgjidhen më të mirët dhe më meritoret, urojë të dalim faqe bardhe nga ky proces zgjedhor”, kishte shkruar Halilaj në profilin e tij në Facebook.
Sejdi Hoxha, drejtor i Postës së Kosovës, sot në profilin e tij në Facebook ka kërkuar përkrahjen e delegatëve që së bashku ti fuqizojnë edhe më shumë strukturat e partisë në Drenas, bastionin e pamposhtur të PDK-së.
“Do të mbeten të paharrueshme takimet dhe bisedat që kam pasur me juve anëtarë dhe simpatizantë të të gjitha nëndegëve. Tek ju e kam parë besimin e madh që keni në Partinë Demokratike të Kosovës dhe Kryetarin Kadri Veseli. Dëshira, përkushtimi dhe energjia juaj ishte shumë mbresëlënëse. Meqenëse unë kam të njëjten bindje sikurse ju se PDK mund të zhvilloj edhe më shumë jo vetëm komunën tonë por tërë Kosovën është motivi kryesor që më shtyen të kërkoj besimin tuaj për të parin e PDK-së në Drenas. Ndihem vërtetë krenar dhe i nderuar të kërkoj votën tuaj për kryetar të Degës së PDK-së në Drenas”, ka shkruar ndër të tjera Hoxha në Facebook.
Ai thotë se i garanton delegatët se këtë pozitë do ta konsiderojë përgjegjësi shumë të lartë.
Kurse Naim Bazaj, ish kryesues i Kuvendit Komunal në Drenas që shpesh herë kishte përplasje me kryetarin Lladrovci gjatë drejtimit të seancave në Drenas, ka thënë se vendimin për t’iu futur garës për kryetar të PDK-së në Drenas e ka marrë si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të shumë anëtarëve dhe simpatizantëve dhe qytetarëve të Drenasit.
“Këtë vendim, për kandidim për kryetar të degës, e mora si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të shumë anëtarëve dhe simpatizantëve dhe qytetarëve të Drenasit. I vetëdijshëm për të gjitha sfidat në këtë proces që na presin, në këtë rrugëtim llogarita në mbështetjen tuaj të pakursyer dhënë në çdo kohë. Drenasi meriton më shumë punë dhe punë më të mira, Dhe ne bashkërisht mund t’ia dalim! Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë”, ka shkruar Bazaj ndër të tjera në statusin e tij në Facebook./Indeksonline/