00:00 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Këto janë fjalët e të akuzuarit për vjedhje në Gjakovë

Një i akuzuar nga Vushtrria për vjedhje të një telefoni dhe një portofoli nuk e ka pranuar fajësinë për veprën për të cilën po gjykohet në Gjykatën e Gjakovës.

Driton Sokoli, të cilin Prokuroria e akuzon për vjedhje, tha në Gjykatë se nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Ju betohem në Zot se është hera e parë që vij në Gjakovë. Unë nuk kam vjedhur asgjë. Nuk e di pse më keni thirrur. Unë s’kam faj. Telefonin për të cilin dyshohet se e kam vjedhur, e kam blerë nga personi A.D. dhe të njëjtin ia kam shitur A.A.”, tha i akuzuari Sokoli.

Sipas aktakuzës kjo vjedhje ishte kryer në vitin 2014, në një sallon bukurie “Shubi”, në Gjakovë.

Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Ramiz Buzhala, pretendon se në atë sallon derisa e dëmtuara Shpresa Delija kishte dalë jashtë për të blerë cigare, i dyshuari Driton ia kishte marrë telefonin Samsung S5 dhe portofolin në të cilin kishte 10 euro.

E dëmtuara Shpresa Delija nuk ishte e pranishme në Gjykatë.

Në aktakuzë thuhet se brenda në portofol kishte qenë letërnjoftimi dhe patentë shoferi.

Ndërsa gjyqtari Mentor Bajraktari shqyrtimin e dytë e caktoi për në muajin nëntor./Kallxo.com/